Gjergj Jozef Kola

0
4740

| Letërsi |
Gjergj Kola

Gjergj Jozef Kola ka lindë dhe ásht rritë në Shkodër. Ka mbarue studimet e nalta peda-gogjike në Graz të Austrisë, në vjetin 1999 dhe që nga ky vjet, jep mësim e jeton me familje në Vjenë. Ka punuar si mësues edhe në politeknikumin “Mondsee” të landit “Oberosterreich”. Ka botuar tek shtëpia botuese “Andreas Schneider Verlagsatelier” dy vëllime me poezi në tre gjuhë: shqip, gjermanisht dhe italisht.

Vëllimin “Per Grazia” më 1996 dhe “Europë! Lëre popullin tim të vijë” më 1997.

Me kalimin e viteve, Gjergj Jozef Kola ka ardhur duke e rritur aktivitetin e tij artistik, sidomos në fushën e dramaturgjisë, duke shkruar një numër të konsiderueshëm dramash, ndër të cilat janë:

1. Zemër Nane – Shkodër, 1993 – NOGA SB.
2. Dimensione dashunijet – Vjenë, 2003 – Pipa-Camaj SB.
3. Dashunia me birë në zemër – Vjenë, 2015 – Bilingual Verlag.
4. Ardhja e Meduzës – Vjenë, 2016 – Bilingual Verlag.
5. Mrekullia e heshtun e Nanë Terezes – Vjenë, 2016 – Bilingual Verlag.
6. Halloween e kungujve pink – Vjenë, 2016. Bilingual Verlag.
7. Lulja e brishtë e G’juhadolit – Vjenë, 2017 – Bilingual Verlag.
8. Kometa e Lirisë – Rini Monajka – Vjenë 2017 – Bilingual Verlag.
9. Poeti i vizatuem në shpirtin e gruas së tij – Vjenë 2017 – Bilingual Verlag.


Parathënie për “Kohë e pajetuar

Letërsi do të ketë gjithmonë, përderisa Fjala të mbesë i vetmi mjet i përpunimit të së jetuarës dhe shërimit të shipirtit njerëzor. Fjala, kjo urë reale e kalimit të individit njerëzor nga koha e pajetuar në kohën e jetuar është e vetmja që gezon të drejtën të depërtojë në thellësitë e kohës, e të masë aty hapësirën e plagës së harruar.

Plehërat që mbushin qoshet e ambjentit ku gjallojnë njerëz, u kujtojnë atyre vazhdimisht mbeturinat e ruajtura të nënvetëdijes.

Ky projeksion kaq real, i prekshëm, i tmerrshem, kaq material dhe absurd, lind e rritë çdo ditë në ambjentet tona, në qytete dhe institucione, monstra të frikshem. Gozillat modeme shqiptare, të gatshme per t’a djegë të ardhmen, për hir të plehërave të së shkuarës. Ky roman, tregon rrugën e Fjalës, magjinë e saj, misterin hyjnor që ajo ruan, e mbi te gjitha, mbijetesën tonë përmes saj. Shekulli i parë fillon dhe shekulli i njëzetë mbyllet me nji thënie dhe praktikë të dy prej njohësve më të fuqishëm të shpirtit njerëzor:

Fjala – E vërteta do t’ju bëjë të lirë” (Gjn. 8,32. S. Freud). Në fillim të mijëvjeçarit të ri, Fjala është prapë këtu të bëjë njerëzit të lirë.


Kohë e pajetuar – Kohë që rri pezull

(Mbi librin e autorit të ri shkodran Gjergj Kola)

Në një monolog kohor pa kufizueshmëri kohe, fjala e kërcënuar u lë vendin ngjarjeve që s’shkruhen. Fjala megjithëse e pushtetshme, është shuar nga kalendari i kohës dhe historia duket se paraqitet faktikisht në një mungesë kohe. Fjala e shkruar në këtë roman shtjellon kalvarin tragjik të një të kaluare të afërt, ku dora e kobshme përpiqet si gjithnjë të fshijë historinë, duke krijuar njeriun e ri, i cili përmes flijimit të diçkaje nga vetja, të diçkaje të shenjtë, udhëton si somnambul nëpër kohën pezull, pa ekzistuar ndërkohë…

Si një planet në hapësirë, fjala rri pezull bashkë me njeriun. Ajo kishte ardhur në tokë, që të ndihmonte njerëzit të komunikonin, të ndërtonin një jetë më të mirë mbi përvojat e të kaluarës, por pushteti i injorancës, regresiviteti i plehërave, që me grushta godasin kafkat, rrënjët e barit që kanë hijezuar pemët, e pengojnë fjalën e lirë të shkruhet ashtu siç është, ashtu siç duhet. Fjala mbulohet me perçe, dhe planeti “fjalë” rri pezull e nuk tërhiqet nga fijet e padukshme të forcës së gravitetit… Marrëdhëniet mes njerëzve bëhen të huaja, njerëzit cyten të bëhen të huaj për njëri-tjetrin. Ky është qëllimi eremit i nomeklaturës pa të kaluar, pa të tashme dhe me një të ardhme – pa të ardhme, të përjashtuar përjetësisht nga koha!… Njerëzit përsërisin vetveten në mënyrë bajate, fjalët konsumohen si vetë njerëzit, pa qenë në gjendje të krijojnë histori, vlera.

Në këtë skicë kohe të pajetuar, ku lufta mes kujtesës dhe harresës shtjellohet në monologun tregues, shkrimtari me një mendim të thelluar filozofik, përmes përsiatjesh e rikujtesash kohore të mungesës së kohës së shkruar dhe personazheve të realtë, arrin të nxjerrë në pah absurditetin e diktaturës në Shqipëri, në gjysëm-shekullin e fundit, ku dënimi më i rëndë politik ishte për vetë fjalën. “Njeriu prej mjegullës vjen dhe në mjegull shkon…” – orvatet autori të japë boshtin inekzistent të mungesës së kohës, që si trupi fizik në mungesë peshe, rrotullohet rreth vetes në përsëritjen mekanike të përjetshme të riteve e veprimeve surrealiste pafund.

Gjuha e përdorur rrjedh si përroi në një gegërishte shkodrançe, ku autori s’e ka parë teknikisht të arsyeshme t’i përdorë pikat mbi ë. Megjithatë, subjekti paraqitet mjaft kontemporan ndonëse vetëm shkronjat gotike mungojnë për ta zhvendosur atë në kohën e pajetume…

— nga Arben Çokaj

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.