‘Rrethimi i Shkodrës’ i Marin Barletit i paraqet shkodranët trima e të pathyeshëm dhe me fuqi hyjnore

0
637
Rrethimi i Shkodrës - Marin Barleti
Shkarko librin në PDF: [ Rrethimi i Shkodrës ] nga Marin Barleti (168 faqe)
Mund të dhuroni:
Arben Çokaj - gazetar
Arben Çokaj – gazetar

Arben Çokaj

Sapo e përfundova përgatitjen në PDF të librit historik “Rrethimi i Shkodrës“, të Marin Barletit, përkthyer nga Henrik Laçaj, dhe botuar për herë të tretë në vitin 1982, në 10 mijë kopje. Mund ta shkarkoni nga lidhja në krye të këtij shkrimi.

Libri në fakt gjendet në PDF online, në disa burime, por aty është i foto-kopjuar nga libri origjinal dhe është publikuar në pdf. Njëri prej burimeve është edhe [ ky ]. Por siç shihet, ai është foto-kopjuar në dy faqe bashkë dhe me imazhet e librit, është përgatitur një PDF. Por libri është kthyer në të majtë, vështirë për t’u lexuar, dhe duke e parë në këtë gjendje grafike jo edhe aq të mirë, unë e mora librin dhe pas rreth 50 ore punë, e ktheva në tekst, e më pas e korrigjova dhe e faqosa në një pamje grafike normale, më të mirë, kuptohet, duke i hequr edhe disa fjalë turke, si tamam, që i ka futur Henriku dhe duke korrigjuar edhe disa gabime shtypi dhe ortografike. Por pa e ndryshuar në mënyrë absolute përmbajtjen e tij.

Pamje nga libri në PDF online, nga i cili mora tekstin origjinal, dhe e rregullova.

Ju kërkoj ndjesë në rast të ndonjë gabimi të mundshëm, dhe ju lutem, që kur ta lexoni librin dhe t’i gjeni ato gabime, të më lajmëroni, se i korrigjoj menjëherë.🙂

Historia e Rrethimit të Shkodrës është e tmerrshme por edhe heroike!

Shkodranët në fakt, pa asnjë dyshim, në atë kohë, më 1474 dhe 1478, i bënë ballë me sukses ushtrisë më të fuqishme në botë, ushtrisë osmane. Dhe kjo është madhështore, trimëria dhe guximi i shkodranëve është i pashembullt dhe nuk mund të kalohet në heshtje. Ata e mbrojtën kështjellën e tyre, qytetin e tyre, kombin dhe fenë e tyre me mjaft sukses, pavarërsisht vërshtirësive të mëdha e përballjes me një ushtri turke të panumërt.

Në Rrethimin e Dytë të Shkodrës (1478), për të cilin shkruan edhe Barleti në libër, flitet se morën pjesë rreth 350 mijë ushtarë turq. Erdhi edhe vetë sulltan Mehmeti II në krye të saj, dhe nuk mundën me luftë që ta merrnin kështjellën e qytetin e Shkodrës, për muaj me radhë luftimesh të ashpra e bombardimesh nga 11 topa të kalibrit të lartë, që kishte raste të hidhnin gati 200 predha në ditë.

Kështjella mbrohej me vetëm rreth 1600 ushtarë kryesisht shkodranë, por edhe ndonjë të huaj, e disa italianë. Komandanti i ushtrisë shkodrane, një venecian, pasi Shkodra ishte nën zotërimin e Venedikut, gënjeu sipas bashkëluftëtarëve të tij, për ushqimet në kështjellë, që i detyroi shkodranët të dilnin më përpatra nga kështjella, pasi Venedku arriti një marrëveshje paqësore me sulltan Mehmetin II, që ta dorëzonte Shkodrën. Komandanti venecian u shpërblye më pas për kontributin e tij, në këtë luftë të rreptë, por pastaj, sipas dëshmive të bashkëluftëtarërve, ai u dënua me burg në Venedik, për tradhëtinë që ai kishte bërë me rezervat ushqimore.

Përshkrimi i historive nga Barleti është rrënqethës, copat e gjymtyrëve të ushtarëve shkodranë fluturonin në ajër nga predhat e bombardimet armike, nga 1600 luftëtarë, mbetën në fund vetëm rreth 460 të tillë, e prapë nuk donin të dorëzohen. Barleti e tregon historinë sikur ushtarët shkodranë udhëhiqeshin nga një frymë hyjnore, kaq tmerr i kishin futur ata ushtarëve turq, të cilët provuan rreth 4 herë të dyndeshin me furi në hyrje të kështjellës, për të hyrë brenda, por nuk mundën dot.

Histori të tilla e bënë Shkodrën me famë e madhështore dhe shkodranët gjithashtu. Ata po mbronin krishtërimin në Europë. Thyerja e sulltan Mehmetit II në Shkodër, i dha një paralajmërim atij, ‘kështu e deshi fati‘, ai nuk do të mundej ta zotëronte të gjithë botën e krishterë, megjithëse, për fatin e keq të Shkodrës dhe shkodranëve, ai arriti ta fuste në dorë në fund Shkodrën, pas një marrëveshjeje të paqes me Venedikun, në vitin 1479. Kjo ishte edhe një tradhëti për Shkodrën e shkodranët dhe për saktrificat e mëdha të tyre.

Ndërkohë që sulltan Mehmeti II, nuk mundi ta merrte kështjellërn e Shkodrës, ai bëri edhe disa sulme anësore, para se ai të tërhiqej me rreth 50 mijë ushtarë, shkoi dhe mori kështjellën e Drishtit e të Zhabjakut dhe të gjithë shqiptarët që gjeti atje, i vrau para kështjellës së Shkodrës. Kurse Lezhën e mori pa luftë, se lezhjanët e kishin braktisur atë.

Lezhianët u treguan më të zgjuar se shkodranët, ‘ik bythë se të dhjeva‘, kur panë se ra Kruja, e çfarë po hiqte Shkodra, ata ia mbathën:
Të nesërmen turqit u mblodhën në këshill dhe morën vendim, që të niseshin për shtënë në dorë qytetin Lisus, që sot me një emër të ri quhet Lezhë; është larg Shkodrës tridhjetë milje, i shkon përbri lumi i Drinit. Disa gjeografë thonë se ky qytet ndan Epirin nga Dalmacia. Për atje më 5 shtator u nis pashai i Rumelisë me repartet e veta dhe e gjeti qytetin krejt bosh, pa njerëz, dhe i vuri zjarrin.

Në librin ‘Rrethimi i Shkodrës‘ të Marin Barletit, botuar në latinisht në Venedik, në vitin 1504, kemi një hyrje të shkruar nga Aleks Buda dhe 121 faqe shkon libri në total, por i shtohen në fund edhe një relacion për ‘Luftën e Shkodrës‘ (1474) nga Gjergj Merula dhe një fjalim panegjirik (mburrës, lavdërues) nga humanisti Marin Beçikemi. Kështu që libri shkon në 168 faqe gjithsej.

Më bëri përshtypje diçka, që e përmend Beçikemi në fjalimin e tij para Senatit të Venedikut për Lekë Dukagjinin. Aty bëhet fjalë për Lekën, që hyn në konflikt edhe me vëllain e vet për disa zotërime, si dhe fakti tjetër, se shkodranët kishin luftuar një herë edhe kundër tij.

Nuk po përmend se ç’kemi bërë nën komandën e mëkëmbësit, Josafat Barbarosës, kur Lekë Dukagjini pati mbledhur disa mijëra turq kundër të vëllait, të cilët ne i shpartalluam me një luftim të rregullt, megjithëse si numër ishim më pak dhe aq mirë e ndoqëm, ç’merr nga bregu i Drinit nëpër lugjet dhe nëpër shpatet e Malit të. Zi, saqë të gjithë sa qenë mbetën të vrarë, përveç një pakice, që në pikë të vrapit ua mbathën këmbëve nëpër male e rrugë pa rrugë me gjithë Lekën 163).

Përkthyesi i librit, Henrik Laçaj, në shënimet në fund të librit, e vë në dyshim këtë histori për Lekën nga Marin Beçikemi.

E shqiptarët u vranë dhe u prenë më pas, në emër të Kanunit të këtij Lekës, dhe vazhdojnë ende sot të ndikohen prej Kanunit të tij, edhe më shumë se prej Kanunit të Skënderbeut, apo ligjeve moderne të shtetit shqiptar. Duket se kjo ndodh, pasi është pjesë e karakterit defektoz të shqiptarëve.

Shkodranët që luftuan, nuk pranuan të jetonin nën zgjedhën barbare të turkut, pas marrëveshjes së bërë, ata dhe ikën të gjithë me gjithë familjet e tyre për në Venedik, ku Senati i Venedikut u dha menjëherë shtetësinë dhe prona aq sa kishin patur në atdhe.

Si Barleti, ashtu edhe Beçikemi – nënshtetas venedikas në atë kohë, shkruan për dogjën e Venedikut, Leonard Loredanon (që sundoi në vitet 1501-1521), dhe e lavdëruan atë e Venedikun, pa qenë në gjendje që të bënin qoftë edhe ndonjë kritikë të vogël ndaj tij apo politikës së Venedikut, që e shiti Shkodrën.

Kruja ra, pas vdekjes së Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, por Shkodra nuk ra. Shkodrën e dha Venediku, si pjesë të zotërimeve të tij për Sulltan Mehmetin II, pas një marrëveshjeje paqeje, të nënshkruar me të. Shkodra u bë theror për tjerët, për të shpëtuar krishtërimin në Europë, e për vete u sakrifikua! U fundos! Kaq mundën të bënin shkodranët në atë kohë! Kurse sot shurdhohen nga eZani i naltë, që i hyri Shkodrës që në atë kohë!

SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

Ju lutem, shkruaj komentin tuaj!
Ju lutem, shkruaj emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.