HYRJE | HISTORI | LETĖRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRĖ


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


Meditim pėr artin e popullit

Perla nė gjerdan

- me rastin e festivalit tė 12-tė Shqiptar nė New York.

-- nga Kolec Traboini

Kolec Traboini Kur krijuesit e brezave apo dhe bashkohore kane gjetur apo vazhdojne te gjejne nje perputhje harmonioze te potencialit te vet krijues me artin e madh te popullit, atehere ne gjerdanin e Atdheut ndrisin perlat.

Sa here qe degjojme kenget e Atdheut ketu ne largesit e mergimit, ndjejme nje mall te zjarrte te na e pushtoje mendjen e zemren. Perpara atyre kengeve leshohemi me krahe te kapitur sikur te ishim akoma vogelushe qe perkundemi nen magjine e ninullave.

E na behet se kaluar siper reve e hapsirave gjigande e te pamata te Atllantikut nisin revanin kujtimet e vendlindjes, shtepite, fshati, rruget, qytetet, ditet e zhurmeshme e netet me zerin e bulkthit nen strehet e cative. Se atje edhe buzembremja vjen ndryshe e bulkthi ndryshe kendon.

Ndodh si ajo cudia e madhe e legjendes tone, ashtu si mbi gurin e varrit shaloi Konstandini per te mbajtur amanetin, ashtu vine shaluar kujtimet e largeta neper hapsira e vite per te permbushur pengun e shpirtrave tane, amanetin e ndersjellte ne mes nesh e vendlindjes.

E keshtu nepermjet kengeve e valleve tona, nepermjet shpirtit te popullit te derdhur ne art vjen memedheu per te permbushur amanetin. Vjen me nje ardhje pambarim sepse, sic shkruan Marin Barleti shekuj te shkuar, ne vitin 1504 ku ishte i merguar larg Atdheut ne Venecja, "Gjithsekush shkon ne rrjedhen e gjakut te kombit te vet".

Natyrisht jo cdo kenge e cdo varg ka ate peshe emocionale sa te trondise e t'i preke ndjenjat sic thyhet e perthyhet drita ne nje gote kristali, por jane perlat, ato mrekullit e artit te kenges a te valleve qe mjeshtri popullor i ka krijuar ne castet e gezimeve a te deshperimeve te medha.

Ne femijerine time te larget kisha degjuar per here te pare nga goja e nje gruaje te vjeter nga Postrriba e Shkodres me emrin Cule Plori, nje kenge per dhendrrin qe u vra ne grazhd te kalit diten e dasmes. Emrin e kishte Rexho. Sa dritherime e trishtim me ngjallte ajo kenge edhe pse nga goja e nje fshatarje qe kurr nuk kishte pare drita skene. Mua gjithnje me ngjallej ne perftyrimin femijenor nje kale qe qellonte pambarimisht me thunder dhendrrin Rexho dhe aty prane moterzerzat qe qanin vellain vdekur.

Kur mbas dhjet vjeteve kam degjuar kete kenge nga e mrekullueshmja kengetare nga Kosova N. Pagarusha, me ka mbet fryma pezull. Ajo artiste e madhe diti ta ngreje e ta shfaqe ne drite te diellit ate perle te artit te popullit qe nje artist (anonim per fat te keq) neper shekuj te harruar e kishte krijuar prej nje dhimbje te jashtzakoneshme. Ajo kenge-vaj e ato vargje kishin mbetur disi te pluhrosura si librat e vjeter e shume te cmuar ne raftet shekullore te tempujve te mocem, derisa te dilte nje artiste e madhe e ta nxirrte ne driten e diellit margaritarin vezullues te asaj elegjie te pavdekeshme.

Kur krijuesit e brezave te shkuar apo dhe bashkohore gjenin a vazhdojne te gjejne nje perputhje harmonioze te potencialit te vet krijues me artin e madh te popullit, atehere ne gjerdanin e Atdheut ndrisin perlat.

Mjafton te themi dy fjale a ndofta nje titull kenge popullore dhe mendja te na shkoje tek nje meteor qe kaloi dhe u shua fatkeqesisht shpejt ne qiellin e artit shqiptar. Kujtojme kengen "Kroi fshatit tone" apo nje tjeter perle si "Kur me vjen burri nga stani" dhe na shfaqet fytyra e madherishme e Tefta Tashko-Kocos, kengetares qe e kujtojme gjithmone me dashuri ngjizur me dhembje. Tek ajo shkrihej mrekullisht talenti i madh sopranos ne fushen e interpretimit te veprave muzikore klasike me interpretuesen e paperseriteshme te kenges popullore shqiptare.

Koha bashke me te nxori legjenden Marie Kraja (Paluca) si dhe interpretues te tjera te mevoneshme qe ja perkushtuan jeten e talentin artit popullor, si Fitnete Rexha, Bik Ndoja, Hafsa Zyberi, Lucie Miloti, Ibrahim Tukiqi, Demir Zyko i Skraparit, mjeshtri i kabase Laver Bariu e deri tek kengetaret e sotem qe vazhdojne traditen e krijuar, si e perkushtuara e kenges popullore Merita Halili, Bujar Qamili, Eli Fara, Frederik Ndoci, Parashqevi Simaku. E ne kete vazhdimesi artistesh shquhet edhe Fitore Mamaqi, nje kualiteti i larte i skenes operistike e nxenese e Maria Krajes, qe i kendon kenget popullore me shume pasion, e plot te tjere te cilet nuk i lodh e nuk i mundon tundimi i artit te tregut por artit te vertete.

Ketu ndoshta eshte vendi per te kujtuar se sot kur shteti shqiptar per shkak te zhvillimit te dobet te ekonomise nuk eshte ne gjendje te beje as ate qe mund te beje nje individ i vetem, a nje institucion i pavarur privat , i bie per detyre bisnesmeneve shqiptare kudo ku ndodhen: ne Shqiperi, Kosove, Maqedoni, Mal te Zi, Europe, Amerike Kanada apo Australi qe t'i paguajne "haracin" artit te popullit, i cili i ka lindur e te cilit, edhe ne qofshin me nenshtetesi te huaj, shpirterisht i perkasin.

Nuk mund te kete zhvillim te kultures e traditave kombetare pa ndihme e mbeshtetje. Nuk mund te mburremi per perkatesine kombetare ketu ne Amerike e gjetke, per individualitetin e artit tone ne gjerdanin e kultures boterore neqofte se nuk japim kontributin tone. Eshte nje nderim i madh per drejtuesit e Kishes Katolike Shqiptare "Zonja e Shkodres" ne New York, te cilet po bejme shume me teper se tere shuma e organizatave apo tufa e bisnesmeneve shqiptare ne kontinentin e ri.

Festivalet ne kete qytet gjigand, metropoli me i madhi ekonomise, i artit dhe masmedias te Shteteve te Bashkuara te Amerikes, te organizuara prej kesaj kishe japin nje ndihmese jo vetem per ceshtjen shqiptare duke shtuar dashamiresit e kombit tone por edhe ndihme te jashtzakoneshme qe brezat e rinj, te lindur e rritur ne mergim si qytetar amerikan, te ruajne e te forcojne identitetin si shqiptar duke siguruar vazhdimesi.

Jemi nje popull qe megjithese i vogel kemi bere histori duke nxjerre figura ne historine e artit e kultures boterore. Mjeshtri i madh i muzikes bizantine i njohur ne historine e muzikes boterore per ruajtjen e thesareve te muzikes mesjetare Jan Kukuzeli ishte nje arber nga Durresi. Marin Barleti me "Historine e Skenderbeut" u be shkrimtari me i perhapur ne Europe ne kohen e vet, ndersa bashkatdhetaret e tij qe bashke me Barletin moren udhen e mergimit ne Venedik, krijuan atje nje lagje shqiptare ku linden dijetare te shquar e artiste te medhej, nderi e krenaria e Europes si piktori i madh i rilindjes Viktor Karpaci (Carpaccio), piktori Mark Bazaiti, poeti Mikel Maruli, skulptori Gjon (Gianbattista) Albanesi qe buronte nga nje familje e tere artistesh te quajtur albanezet e Vicences, arkitekti i bregut dalmat Andrea Aleksi nga Durresi e deri tek astronomi e petagogu i madh i Universiteteve Leonik Tomeu, mesuesi i Kopernikut me zbulimet e te cilit ze fill shkenca moderne e astronomise.

Nje ndertues i ri shqiptar bie rob i Sulltan Mehmetit qe kishte pushtuar tere Ballkanin, e pikerisht ky shqiptar me forcen e talentit te vet ndikoi qe ai te te zgjidhej si i vetmi ne tere perandorine otomane qe do te projektonte xhamine e madhe Mehmedije, kryevepra e krenaria e Stambollit edhe sot pas peseqind vjetesh. Edhe emri i arkitektit ashtu i mbeti:

Arkitekt Sinani qe ne perkthimin shqip do te thote skllav i liruar. Pas tij do te vinte shqiptari tjeter arkitekt Kasemi i ndjekur nga 40 vezire (kryeministra) bashkombas, shqiptare pra, qe drejtuan perandorine otomane me zotesi e dore te hekurt.
Populli shqiptar ka krijuar edhe kur ka qene skllaveruar por edhe kur ka qene i lire. Kete e tregon mrekullia e piktorit Onufri nder me te shquarit ne historine e artit ikonografik mesjetar. Kur nje portret gruaje te ketij artisti te madh nga Shpati i Elbasanit gjetur ne nje dere hauri e cuan ne nje ekspozite ikonografike ne Paris, nje kritik frances e quajti Xhokonda e lindjes. Portreti i Davidit, megjithese i demtuar, mbetet padyshim kryevepra e tij.Kryevepra jane edhe minjaturat me te kuqen e paperseriteshme onufriane.

Populli yne lind heronj me permasa europiane si Gjergj Kastrioti Skenderbeu, Pape te nderuar si Klementi i IX dhe shenjtore te pervujtur te koheve moderne si Nene Tereza.
Ishin dy bij te Hotit historik, Hotit te Ded Gjo Lulit, ata qe te paret paten idene fisnike dhe bujarine qe te sponsorizonin lartesimin ne bronx te kesaj bije shqiptare ne sheshet e Tuzit e te Prishtines, pa pritur qe te shejterohet, duke u kujtuar e sjelle ndermend mbare njerzimit qe pergjerohet per kete nene te madhe, se ajo eshte bij e popullit shqiptar. Vllezerit Lek e Pashk Gojcaj edhe pse biznesmene, kane bere investimin me te shkelqyer ne jeten e tyre ne nje fushe ku perfitimi eshte moral e shume me i cmuar e i pavdekshem se cdo lloj kapitali tjeter.

Po a ndiqet gjithnje kjo udhe vec rasteve sporadike? Sa financohet arti e tradita ne terren te tille si Amerika ku mundesit jane te jashtzakoneshme per zhvillimin e kultures e artit te komuniteteve? Sa libra jane sponsorizuar nga pronaret e picave e restoranteve? A kane shkak te mburren keto bisnesmen ne tubime a gazeta a per te vetmin fakt se punojne e mbushin xhepat e depozitat e veta ne banka pa e vrare mendjen se edhe pse shumica e tyre jane jo shume te kulturuar, jane te obliguar te paguajne nje "harac" sado te vogel per artin e kulturen, per te sponsorizuar pra veprat e artistet e shkrimtareve te komunitetit, te ardhurat e te cileve jane modeste e tej mundesimit te perballimit te publikimit te veprave te veta.
Nuk mund te mbeshtetet arti popullor apo edhe ai i kultivuar ne ca minikoncerte restorantesh nen ritmet e pjatave e te piruneve apo terjaqive te veres, rakise apo kafese e nen gromesira stomaqesh te tejngopura.

Nese duhet ti tregojme botes indentitetin tone nuk duhet te kursejme. Ne jemi per fat te keq nje komunitet pa histori jo se na mungojne reliket historike por se jemi doreshternguar e nuk japim para per nje muzeum te Komunitetit Shqiptar ne Boston apo per nje qender te kultures shqiptare ne New York, nisiative qe ngeli ne eter jo vetem se askush nuk jep por se edhe organizatoret mesa duke u lodhen duke trokitur ne dere te shurdher, ose-ose nuk e pane me leverdi te vazhdojne te merren me ate pune.

Per te pare se cfare eshte nderi e lavdia e nje kombi duhet hedhur syte tek kultura e arti i tij, tek tradita e krijimit e jo tek cilesia e gjelleve qe gatuajne restorantet, megjithese edhe kjo nuk eshte krejt pa vlere.
Cfare eshte Dizhoni, ky qytet provincial i Frances cdo shqiptar e di sepse ishte vertete nje shfaqje e madherishme e artit te popullit tone ne skenat e botes e cila e cmoi dhe e vleresoi lart me gjerdanin e arte. Dhe aty ne ate grup artistik te kengeve e valleve shqiptare qe ngriti peshe me dritherima vibruese ajrin e tere atmosferen perpara qytetareve artdashes francez u derdh talenti jo vetem i valletareve si Besim Zekthi e Lili Cingu por edhe i dhjetra antareve te grupit te interpretuesve te artit te popullit tone. Por ne ate grup e ne ate art popullor qe u shfaq aq virtuozisht ne netet franceze derdhi tere talentin e tij nje artist i madh si Tish Daija qe e drejtoi ansamblin kombetar te kengeve e valle nder shume vite te mbushura plot pune e pasion.

Cfare eshte Bregu i Himares cdo kush nga ne e di. Eshte bregu i arte i portokalleve dhe ullinjeve, eshte bukuria magjepse ku veres shkojne e pushojne me mijra shqiptar e te huaj ne kete bregdet te virgjer qe bashke me bregun e Sarandes i ka bekuar perendia. Por eshte edhe djepi ku jane perkundur trimat dhe kenget gjate historise.
Le te te kujtonim vetem mrekulline - kenge "Vajza e Valeve" dhe vetem nje krijues popullor emri i te cilit nuk ka qene shume i publikuar ne Shqiperi, por ishte nje artist qe edhe ne modestine e anonimitetit te tij mbeti i madherishem. Kushdo qe ka nje mik himariot le t'a pyes dhe ka per tu cuditur cfare respekti e dashurie kane himariotet per krijuesin e kengeve popullore Neco Muka.

I madherishem si Neco Muka ne Jug ka qene mjeshtri i madh i interpretimit te kengeve me sharki, Dervish Shaqja qe lindi ne Kosove dhe e ngrysi jeten ne Rashbull e Shenavlash te Durresit. Ne kenget e tij kishte jo vetem trimerine e luftetareve si Azem e Shote Galica por edhe brengen e pikellimin per Kosoven qe e kishte lene pas ne dimer e debore, nen kallkanin e ngricat te pushtimit serb. E kete vaj e pikellim e nxirrte si nje ze prej shekujsh sharkia e rapsodit, te cilin kur shkuam dhe e takuam bashke me poetin kosovar Adem Istrefi, e gjetem ne prag te deres tek gdhente sharki si ma i miri gdhendes druri. Ishte mjeshter i kenges e mjeshter shkuar mjeshtri i gdhendjes se sharkive ne dru mani. Dervish Shaqja kish lindur si artist dhe deri sa vdiq mbeti i tille i admiruar deri ne kult ne Shqiperi e Kosove e kudo ku ka shqiptare.

Keta krijues te medhej te artit popullor, te cilet nuk jetojne me por lane shpirtin e vet ne kenge, meritojne nderin e respekt e ne evenimente kombetare te artit folklorik duhet te kujtohen duke evidentuar krijimet e tyre te cilat do te sherbejne si shembellese e pervoje per brezat e artisteve te rinj qe interprtetojne e krijojne nen frymen e artit popullor. E konsideroj si fat qe kam patur rastin te perjetoj shfaqjet e dy festivaleve kombetare folklorike 1978 dhe 1988 dhe te degjoj per here te pare shume prej kengeve qe me vone do te mbeteshin si vlera te pakontensueshme te artit folklorik kombetar.

Nje grup i vogel kengetaresh popullor te Vlores kerkuan dhe germuan ne kujtesen e bashkevendasve te vet per kenge e vjetra qe kishin mbetur ende ne sendyqet e kujteses se pleqeve tane te mire. E pasi degjuan shume prej tyre, pasi e mbushen shpirtin e vet me ate frymezim disi hyjnor, duke perjetuar dramen e popullit te vet rikrijuan nje kengen vaje - e permbi vaje: "Janino".

E mbeti ajo kenge nje perle qe cuditi shume studiues e muzikologe te huaj se si mund te krijohen sot kesisoj kengesh qe kane shpirtin e frymen e shekujve, te nje kohe te shkuar por duke u shfaqur si nje relike e vjeter me nje vezullim te ri emocionues.

E cfare mund te thuhet per perlat e Camerise, per artin e madh te nje popullsie te vuajtur. Kur hipi ne skenen e festivalit kombetar grupi i vogel cam i Rogozhines qe kendoi kengen e "Celo Mezanit", ra nje heshtje prej akulli sepse dhimbja qe buronte prej kenges, tabllote qe cpaloseshin si copeza historish tragjike e te pergjakura, bene qe njerezve tu dritheronte shpirti. Ai grup kengetaresh cam, emrat e te cileve mjerisht nuk i sjell dot ne kujtese, sikur e ngriten heroin e vet nga varri, dhe megjithese i mbuluar nga plaget e gjaku, mbeti me i gjalle se te gjallet ne perftyrimin popullor.

Ka kaluar nje cerek shekulli. Kush nuk e degjon edhe sot e nuk renqethet. Osman Taka ka nje emer ne histori. Osman Taka ndoshta nga bashkefshataret e tij, apo krahinat e jugut mund te pershkruhet edhe ne historine e gojdhenat e fjaleve a rrefimeve popullore per bemat e tij. Mirepo qe nga Cameria ne Kosove, nga Tetova ne Shkoder e Vlore, ne Gjirokaster, ne Korce e Diaspore, Osman Taka eshte ajo vallja burrenore qe nuk ka te krahasuar me asnje valle ne bote per nga ritmi, forca burrerore , gjalleria e levizjeve dhe fantazia e mrekullueshme popullore e krijimit te figurave me nje plasticitet befasues e te jashtzakonshem.

Eshte ajo valle qe ve ne prove te veshtire edhe valltaret me virtuoze, e qe ketu ne Diasporen shqiptare ne Amerike e ka sjelle per te pare skenen e shqiptareve te Bostonit, koreografi Bashkim Braha. E megjithese ajo nuk luhet nga emigrantet e rinj me at virtuozitet sa ne Atdhe, prap se prap ajo valle i ka mbushur shqiptaret e Amerikes me nje krenari te ligjeshme per popullin e vet qe jo vetem ka treguar trimeri kur zeri i Atdheut e ka thirrur, por edhe ka krijuar edhe nje art te madh.

E kur themi qe nuk duhet t'i harrojme artistet qe artin e popullit e kane ngjizur me shpirtin e ndjenjat e veta dhe e kane shfaqur mrekullisht ne skenat e podiumet bashkohore, nuk duhet te harrojme nje kengetar me zemer te madhe qe edhe pse ishte mjeshtri ne interpretimet e roleve ne opera, gjeti kohe e frymezim krijues per tu bashkuar me grupet popullore folklorike, sepse nje artist te vertete nuk e ul por e ngre arti i popullit. Mendoj se kushdo qe i lexon keto rradhe ka ne perftyrimin e tij portretin e njeriut te thjeshte por gjeni te kenges e te skenes shqiptare, Mentor Xhemali qe derdhi talentin e tij pa u kursuer jo vetem ne Teatrin Kombetar te Operas por edhe ne grupin e sazeve te Permetit.

Vace Zela, kjo kengetare e madhe e paperseritshme ne skenen shqiptare, erdhi tek kenga e kultivuar prej kenges myzeqare qe e kendonte kush me mire se ajo kur bashkohej ne duet me vellain e saj kengetar Hysni Zela.
Por nga arti popullit shqiptar jane frymezuar edhe kompozitore qe nderojne historine e muzikes shqiptare. Le te kujtojme nje titull kenge: "Lule bore" dhe ne cast gjithesekush ka ne perftyrimin e vet nje kenge aq te ndjeshme, e aq te afert emocionalisht sa te thuash se eshte nje kenge qe buron prej kujteses popullore shkodrane per tu perhapur me pas neper te gjithe Shqiperine. E pra ajo eshte nje krijim artistik.

E kush nuk e kendoi neper dasma. Jo vetem ne Shqiperi, Maqedoni e Mal te Zi po edhe ne diasporen shqiptare ane e mbane Europes, ne Amerike e Australi. E kendojne te rinjt me dashuri, e kendojne pleqt me nostalgji. E me mirenjohje nga zemra i thone kompozitorit qe nuk jeton me "Te faleminderit Simon Gjoni!".
Ja thone sikur ta kishin prane e te gjalle.

Keshtu ndodh kur artisti perjeton e per me tej krijon duke ngjizur shpirtin e talentin e vet krijues me ate te popullit te vet.
Edhe shkrimtaret qe mbase ne veshtrim te pare te duken disi te larget me artin folklorik popullor per shkak te gjinive te ndryshme dhe mjeteve specifike te shprehjes, gjithesesi jane gjendur prane ujvarave popullore dhe "kane pire uje ne ato burime" sic thote kenga permetare.

Perqasje e perftyrime popullore gjejme qe nga shkrimtaret qe e kultivojne direkt folklorin, si tek Mitrush Kuteli i tradites me "Tregime te mo?me shqiptare", tek poeti lirik kombetar Lasgush Pogradeci qe e njihte dhe e kultivonte me mire se kushdo frymen e poezise popullore, e deri tek shkrimtari i madh Ismail Kadare qe ne veprat e veta here pas here ka shfrytezuar me nje shkalle te larte mjeshtrie koncepte e figuracione qe burojne nga folklori kombetar shqiptar.

Por jo gjithmone ndodh qe artistet apo krijuesit rinj, qe jane shtuar vitet e fundit, te kene patur sukses ne shfrytezimin e burimeve folklorike per krijime te vlerave te reja artistike dhe emocionante.
Kjo mosperputhje e mosgjetje vlerash shfaqet me se shumti ne fushen e muzikes se kultivuar. Jane nje sere kanta-autoresh qe kane mbushur tregun me kaseta e disqe, kenget e te cileve jane krijuar ne stilin e zhargoneve te rruges apo te kengeve te hershme pa kurrfare vlere si "Ode e vogel me gelqere".

E kjo perhapje e mbushje tregu ndodh kur artiste e afirmuar jo vetem nuk gjejne ne treg por as mundesi per prodhime disqesh e kasetash sic gjen me shumice arti vulgar i "gelqeres" i cili pretendon se kultivon frymen masive te kenges.
Artistet e rinj qe pretendojne per nje art modern kane disa shembuj se si mund te shfrytezojne mjeshtrisht frymen e vertete e artit te popullit ne menyre krijuese pa e sakatuar ate por edhe pa rene ne folklorizem.
Ne vitin 1992 i ndodhur emigrant ne Greqi, ne nje shtepi perdhese te lagjes Kesariani te Athines, ne valet e nje radiostacioni te huaj degjova nje kenge qe megjithese dukej se ishte e krijuesve francez kishte brenda vargje ne gjuhen shqipe. Ngela i befasuar. Gjeja e pare qe me shkoi nder mend ishte ta in?izoja ne nje kasete. Dhe ashtu bera.

Ne fillim dyshova se mos fjalet e kenges i kisha keqkuptuar si te ishin shqipe. Mirepo edhe frengjisht nuk ishin. Afroheshin me te shqiptuarin e latinishtes. Dyshimin qe kisha u a thashe femijeve te mi te cilet i vura ta degjojne ate kenge te bukur e te dhimbeshme disa here. Ata ne fillim u shprehen skeptike duke me thene se, ty baba te duket cdo gje shqiptare madje edhe emrat e rrugeve te Athines. Mirepo me pas si e degjuam me vemendje disa here u shprehen se edhe atyre ashtu u ngjiste. U vume e nxorrem edhe fjalet.

Ishin fjale shqipe por te shqiptuara jo shumet qarte nga kengetare francez. Teksti nuk ishte kurrgje tjeter vecse motivi tragjik i gjakmarrjes i librit te Ismail Kadarese "Prilli i thyer" qe ishte botuar me shume sukses ne France. Ndersa per nga rrjedha e melodise sikur buronte nga shtrati i nje elegjie shqiptare, pikerisht kenges vaj te Rexhos, kjo perle shqiptare qe mesa duket nuk ka kaluar pa u vene re nga artistet e grupit qe beri emer ne boten muzikore me diskun "Enigma" ku e para kenge eshte ajo me motiv shqiptar.

Po ky nuk ishte i pari rast kur gjeja gjurmet e folklorit shqiptar tek kenget e grupeve muzikore moderne europiane.
Jo me shume se nje vjet me pas, po ne Athine, duke kerkuar valet e stacionit te Radio Tiranes me degjojne veshet nje motiv te nje kenge qe me behej te ishte matiane, por ndoshta dhe mirditore. Ate kenge e kisha degjuar ne nje festival kombetar dhe radio Tirana e kishte ne repertorin e saj te perhershem. Teksti e kendonte dueti vajze-djale, e fjalet qe me bien ndermend edhe sot jane "O kam nje babe, e s'mund ta leje, moj, s'mund ta leje..."

Kenga shqiptare ishte ne sfond, sa mua me dukej se kishte nje perplasje e kakofoni stacionesh, por jo. Ritmi dhe orkestracioni qe kishin krijuar krijuesit e huaj te kenges ishte nje magji qe e kishte burimin prej vete kenges. Kenga shqipe u kishte sherbyer artisteve te huaj jo vetem si ilustracion( sic ka bere edhe kengetari anglez Sting me kengen algjeriane), por edhe si burim ritmesh te gezuara te nje kenge moderne ku fjalet ishin shqipe por edhe fryma e orkestrimit buronte prej ritmeve e melodise se asaj kenge.

E kam te incizuar edhe ate, por fare shkurt dhe jo me kualitet sepse valet e radios ate dite nuk vinin shume te qarta prej ndonje qyteti te Europes deri ne jug te Ballkanit, ne qiellin e Atikise.
E kam kerkuar ne sa e sa diskoteka duke blere disqe, por nuk e kam gjetur me askund. Dhe ishte nje kenge aq e bukur, nje ritmike aq e gezuar qe t'a mbushte shpirtin me drite e deshire per ta gezuar jeten. Rasti i trete i befasimit tim nga perpunimi mrekullueshem i kengeve folklorike shqiptare ne artin e kultivuar nuk ka qene nepermjet radios por ne Internet. Tashme ndodhesha ne Amerike e me kushte moderne komunikimi qe s'i kishim endrruar ne Shqiperi por as ne jeten prej emigranti ilegal ne Greqi.
Nepermjet nje veb-sajti ne internet, mesova per nje kengetare te re Shqiptare ne Gjermani, e cila si kishte mbaruar konservatorin per muzike, kishte nisur nje veprimtari koncertale shume te sukseseshme ne Europe.

Nga deshira per te mesuar me shume per kete kengetare, perdora e-mailin e saj dhe hyra ne lidhje. Pas nje komunikimi me mesazhe, kengetarja lirike qe kishte befasuar publikun gjerman me interpretime klasike me dergoj disqet e saj me krijime muzikore.
Ndersa ne diskun e pare kishte interpretime lirike si arie e romanca, ne te dytin, pra diskun e titulluar shqip "Eja" kishte nje kenge te gjate, kompozim te saj te mbeshtetur ne krijimtarine e muzikes popullore qytetare permetare, pra te qytetit qe ishte vendlindja e saj.
Degjoja kengen ndersa ne dore kapakun e diskut mbi te cilin shkruhej emri i kompozitores dhe kengetares Eda Zari.

Kengetarja e re kishte arritur qe nepermjet frymes se kengeve te vendlindjes se saj, Permetit, kish arritur te krijonte nje kenge emocionale me dimensione te medha dhe me nje ritem te ri, strukturuar me nje stil krejt te padegjuar ne krijimtarine e kenges se kultiuvuar shqiptare. Ajo kenge ishte si apoteoze e kengeve permetare, me nje stil krejt modern, qe nuk binte aspak me poshte se sa krijimet dinjitoze te mjeshtrave te kenges europiane bashkohore.

Nuk rrija dot pa e pershendetur, pa e vleresuar e pohuar se ajo kishte krijuar nje kenge jo vetem me vlera te medha emocionale, qe ngre lart artin e popullit tone, por se me kengen "Eja" Eda Zari kishte dhene shembellesen, rrugen qe duhet ndjekur nga krijuesit e rij ne Shqiperi dhe jasht saj, per te mos harxhuar kohen e talentin duke u neperkembur me vlera gjysmake qe sot ne Shqiperi kane mbushur tregun.
Eda Zari e kishte enderr te vinte e te kendonte ne New York per bashkatdhetaret.
Erdhi dhe Komuniteti Shqiptar e pershendeti per artin e saj te mrekullueshem qe te mbush me emocione dhe ndjenja te larta atdhedashurie.

E nuk ka si te ndodh ndryshe kur artisti e njeh artin e popullit te vet, ushqehet prej tij, dhe krijon vlera te reja prej atij tabani. Eshte si puna e perlave qe fshihen ne fundin e detit.
Shpesh te mbuluara nga myshqet e koralet harrohen, derisa ndonje dore e guximeshme i nxjerr prej thellesise se ujrave ne driten e diellit, ku shfaqin shkelqimin e vet ne syte e njerezimit.

Shqiperise kurr nuk i kane munguar as perlat thellesive por as dhe artistet e guximshem qe dine ti nxjerrin vlerat prej pluhurit te harreses, prandaj kurr s'na humbet besimi te shohim perla te reja ne gjerdanin e Atdheut.

Boston, Nentor 2002
(Botuar ne broshuren qe shoqeronte hapjen e festivalit)
http://traboini-film.blogspot.com/

Shkoder.net... - Fjala e Lirė | Tė drejtat e rezervuara