HYRJE | HISTORI | LETËRSI | FOTOGRAFI | LAJME | INFO | RRETH NESH |     FJALA e LIRË


Kontakto: [ ] ose [ Kontakti ]

 
  [ Prapa ]


FALEMESHENDET NGA SHQIPERIA

-- nga ROZI THEOHARI, Boston

ROZI THEOHARI Ne nje dite te fresket gushti, nga ato qe ne Nju-Ingland i quajne “dite pranvere”, udhetova per ne Manchester-by-the-sea, Mass., nje qytet i vogel, i fshehur diku, perbri oqeanit. Makinen e ngiste mikja ime shqiptare Luljeta, duke gjarperuar me veturen e saj ngadale e me kujdes neper rruginat zigzage qe lidhin vilat e familjeve te pasura. Mes gjelberimit dukeshin keshtjella te vjetra hijerenda apo edhe shtepi te reja, te stermedha, prapa mureve rrethuese me kangjella te zeza, te thurura e te perdredhura aq bukur, me nje simetri te persosur. Luljeta me tregonte se brenda disa prej atyre keshtjellave e vilave punojne gra shqiptare si “bebisiter”, pastruese ose kujdestare. Amerikanet e pasur pelqejne te punesojne gra emigrante shqiptare per urtesine, ndershmerine, edukaten e zemerdhembshurine e tyre…

Pastaj makina iu drejtua rruges kryesore te qytetit dhe pas pak ndalem para nje vile te madhe dykateshe, te bardhe, te paster, me lule e shkurre dekorative para e prapa saj. Ne krye te shkalleve na priti Musli Mustafa dhe zonja e tij Sharmin. Ndersa une vazhdoja akoma te adhuroja e te prekja lulet, Luljeta, e cila eshte nuse ne farefisin Mustafa, me prezantoi me te zotin e te zonjen e shtepise. Pasi u pershendetem, Musliu na ftoi te hynim brenda e, duke qeshur, tha: “E shihni? Prandaj nuk dua t’i ve gardhin oborrit dhe bahces… Eshte i mireseardhur e i mirepritur cilido qe troket ne deren time…”

Domethenien e ketyre fjaleve do ta kuptoja disa caste me vone nga biseda qe zhvilluam me Musliun dhe zonjen e tij ne dhomen e madhe te pritjes se miqve. Per jeten e z.Muslim kisha degjuar nga shqiptaro-amerikanet qe e njihnin, e donin dhe e respektonin. Para meje, ulur ne kolltukun e tij qendronte nje mesoburre veshur me nje triko te holle gri, ngjyra e se ciles shkonte ne harmoni me floket e thinjur qe i rrinin si kurore sublime mbi ballin e madh. Disa rrudha te mbledhura midis vetullave dhe ne cepat e syve geshtenje i jepnin fytyres se tij nje pamje melankolike me nje buzeqeshje te pervuajtur.

Mbi te gjitha, te terhiqte vemendjen shkelqimi i syve te tij te gjalle e te levizshem dhe pellembet e zmadhuara te duarve, shenje e nje pune te vazhdueshme fizike, te lodhshme e kapitese qe e kishte shoqeruar golemasin apo fierakun gjate gjithe jetes. Ai kopsiti gishterinjte e trashe te duarve mbi kraharor dhe filloi i pari biseden. Ndersa tregonte, ne thellesi te bebes se syrit i digjej nje kandil i vogel, ndaj nuk e nderpreva gjate rrefimit…, me dukej se do ta shuaja driten e atij kandili.

"Ika nga atdheu ne moshen 23-vjecare…”, - filloi rrefimin ai me nje ze pak te ngjirur, te larget e si te harruar.

“Me 1947, ne moshen 15 vjec me thirren ushtar. Me thirri rekrutimi i Kucit ne zyrat e Fierit. Tre vjet pa e pare familjen. Kur mbarova ushtrine e u ktheva ne shtepi, nuk me njohen, isha rritur e burreruar. Ndersa po perpiqesha te gjeja ndonje pune, ne vitin 1950 me thirren perseri te beja ushterine. As qe degjonin se une e kisha kryer nje here. Gjyshja ime labe qante nga deshperimi. Ne ushtri punoja ne infermieri, pa dokumente. Kur mbarova se dyti ushterine, gjeta pune si infermier ne Roskovec. Por hija e tim eti me ndiqte nga pas. Sapo e moren vesh bir i kujt isha me hoqen nga puna e me transferuan ne Patos ku punoja si normist. Me hoqen edhe qe andej sa moren vesh per biografine e keqe. Me 1952 u regjistrova ne shkollen e infermiereve ne Vlore. E kisha me deshire kete profesion dhe thurja endrra qe ne te ardhmen te studioja per doktor. Ne klase isha me i miri ne rezultate dhe ne disipline. Drejtoresha e shkolles me caktoi kryetar te klases...

Mbas nje muaji nga fillimi i shkolles, erdhi dita qe do te niseshim per ne spitalin e zones ku do te fillonim praktiken. E vura klasen ne rresht ne oborrin e shkolles e prisnim castin e nisjes. Ishim te gjithe te emocionuar nga kjo dite e pare. Ate minute u fut ne oborrin e shkolles inspektori i Ministrise se Shendetesise. “Kryetari i klases qenke ti? Nga te kemi more djale? Nga Fieri? Nga Golemi? Nga cila familje? I biri i Merqes Mustafarajt?” Duke zene ne goje emrin e babait te pushkatuar, kisha bere vetepushkatimin. U afrua drejtoresha: “Muslim, hajde pak ne zyre.” Ajo nuk i mbante dot lotet. Po i largohej nxenesi me i mire i shkolles. Une ula koken e shtrengova grushtet.

“Muslim, nuk te mbaj dot!” - shkrehej ne vaj mesuesja. E dija, e kuptoja. Isha mesuar me keto lloj perjashtimesh. Isha i qete. Me pare pushohesha nga puna. Sot nga shkolla. Kam punuar rende ne ushtri qysh femije 15 vjec. Isha ushtar, 16-vjecar, e bashke me shoket cdo te diel duhej te vinim te lanim rrobat tona ne nje perrua afer repartit. Une laja nderresat e qaja. Shoket me pyesnin “Pse qan?” S’mund t’u tregoja atyre se dikur, aty prane, me kishin pushkatuar babane e xhaxhane, si udheheqes te “Ballit Kombetar”… Ne ushtri kohen me te madhe e kaloja duke punuar. Isha femije, por kam hapur llogore tok me te rriturit. Isha ne vijen e pare te kufirit, por nuk arratisesha. Enderroja te studioja, qe te mund te ndihmoja nenen, gjyshen, familjen…

Kur me perjashtuan nga shkolla e infermiereve, lexova ne gazeten “Zeri i popullit” se ne Vlore hapej nje kurs per automekanike. Vajta ne parkun automobilistik te Tiranes, dorezova dokumentet e ushtrise, qe te me jepnin te drejten per t’u regjistruar ne shkolle.. I hipa makines e shkova ne Vlore, ne skele. Shkova ne shkollen e infermierise te merrja dokumentet. Aty takova shoket, mesuesit, takova edhe nje djale te ri, i cili zuri vendin tim ne klase. “Nga je?,”- e pyeta. ”Jam demokrat grek”. Me vrau ne shpirt. Hoqen nga shkolla nje shqiptar e vune nje te huaj. Kujtova ate cast nenen, motrat…, prisnin diplomen…Mbarova kursin per mekanik, per nente muaj. Mjeshtri qe na jepte zanatin, ishte nga Himara. Me donte mjaft, se isha i vemendshem e mesoja shume. Kur mbarova kursin, iu luta: ”Dergome ne Tirane.” Ai e firmosi dokumentin. Doja te punoja sa me larg qytetit te lindjes, qe te humbja gjurmet.

Punova tre vjet e gjysme ne oficinen e parkut automobilistik te Tiranes. Mbiemrin e familjes e kisha shkurtuar prej kohesh ne “Mustafa”, per t’i shpetuar persekutimit politik… Ne vitin 1953 ne te gjithe vendin u hapen kurset e SHNUM-it (Shoqeria per Ndihme Ushtrise dhe Mbrojtje), kurse paraushtarake ne ndihme te ushtrise. Gjeja e pare ne kete kurs, mesoje motorcikleten. U regjistrova ne kete kurs dhe s’kishte gezim me te madh kur fillova te ecja rrugeve me motorciklete. Kisha deshire te blija nje ore dore. I kisha mbledhur parate cikepascike. Disa nete rresht e gdhiva ne radhe te gjata ne Mapon e Tiranes, por, kur vinte mengjesi e hapej dyqani oret shiteshin shpejt e kur afrohej radha ime, mbetesha pa gje. Dy dimra me vone, me nje pjese te ketyre parave te kursyera bleva nje pallto oficeri ne pazarin e vjeter te Tiranes. Me pallto oficeri dhe hipur ne motor tani u ngjaja punonjesve te Sigurimit, sepse ate kohe vetem ata perdornin motore.

Me pallton e oficerit e me motorin fluturova ne Fier tek nena e gjyshja per te festuar Vitin e Ri. “Pa dale, more, c’eshte ky qe na krekoset keshtu me motor?” Biografia ime e beri punen edhe kesaj radhe. U ktheva ne Tirane. Aty ne oficine se si me shikonin! Me nuhatje e ndjeva se do te me largonin nga puna. Vetem se kesaj radhe nuk prita te me njoftonin ata. E dorezova motorin ne SHNUM. Edhe sot e kujtoj ate veshtrim te heshtur keqardhjeje dhe pranimi qe me hodhi miku im, i cili mori ne dorezim motorcikleten. Nuk lashe borxh pa lare. Ishte fillim shkurti i 1955-s. Ndieja ftohte ne shpirt e akullime ne trup. Palltoja e oficerit me shtonte me shume dritherimat. I mblodha ato pak placka qe kisha ne nje valixhe druri dhe ia cova ne shtepi nje tetoje qe banonte ne Tirane. I thashe se do te vija t’i merrja me vone, kur te gjeja nje pune te re. Por nuk u perpoqa te gjeja vend te ri pune. Takova kusheririn tim ne Tirane e i thashe i vendosur: “Une do te arratisem, vjen me mua?” Ai sa s’luajti mendsh nga ky vendimi im i papritur.

Mendja me shkoi fluturimthi tek familja ne Fier. Ishim kater vellezer e dy motra. Kishim toka afer Fierit, ku ata punonin. Gjithnje me rrezik, sepse ishte koha e diversanteve. Sidoqofte, s’kishin ku t’i shpinin me tutje. Vellai i madh punonte si brigadier ne shpim, ne puset e Patosit. Triskat ia kishin hequr me kohe familjes sone. Ne dimer s’kishim me se te ushqeheshim e prisnim me padurim sa te vinte pranvera te mbillnim bathet, sepse ato piqeshin te parat. Duke ngrene vazhdimisht bathe, njerezit e familjes sime sa nuk vdiqen nga intoksikimi. Te gjitha keto me shkuan vetetimthi ne mend, ndersa im kusheri nuk e kishte marre veten akoma. “Vjen apo jo?” Kembengula une. “Vij, tha ai, por, i ke menduar mire te gjitha?” “Te gjitha”, - iu pergjigja dhe, pa humbur kohe, shkova te takoja drejtorin e agjencise se transportit ne Tirane.

E njihja mire se na lidhte oficina e riparimeve te automjeteve. Kisha ne xhep 2500 leke e falenderova Zotin qe nuk me la ta blija ate te flamosur oren e dores. “Dua nje taksi-skode per ne Vlore, - i thashe drejtorit, kam nenen te semure.” Pagova 1788 leke per taksine. Fjeta ne shtepine e tezes, ku kisha lene valixhen, por e fjetur i thencin. Deri ne oren tre te mengjesit syri im filxhan. Ne oren 6 u nisa. Nxora duhanin. Ishte nje mengjes i ftohte i 28 shkurtit. Pa gjume. Ne agjenci takova kusheririn. Edhe ai pa gjume. Morem taksine dhe ne Vlore mberritem pa ardhur akoma autobusi nga Gjirokastra. Ishte nje ogur i mire. Na dha shpresa. Kur hipem ne autobus, u be nje gurgule. Njerez, ne kembe para deres se autobusit, shtyheshin kush te hynte me pare. Ne te dy, megjithese pa bileta te prera me pare, na hipi shoferi, sepse ishte rregull qe punonjesit e oficinave kishin perparesi ne udhetimin me makina. Mberritem ne Gjirokaster. Pa buke e te kallkanosur.

Te Sheshi i Çercizit hyme ne nje restorant. Pa u ulur mire ne tavoline, kamerieri na tha se s’kishte asgje per te ngrene. Ne kembengulem. Ishim te uritur. “Kemi nje pastico te ndenjur, prej ditesh,” - tha ai. “Bjere ketu, na sill edhe ca raki.” Pasticoja ishte si gur. E mbeshtollem, e morem me vete. Rakia sikur na mblodhi zemren. Jo se ishim te trembur. Ishte nje “ikje” qe nuk dinim se si do te perfundonte. Ishim betuar qe, te gjalle, nuk do te mbeteshim ne duart e tyre. I kisha pare kur isha ne ushtri se c’u punonin te arratisurve qe i kapnin ne kufi. Kishim nje kusherire qe punonte ne hotel “Sopoti” ne Gjirokaster. Ajo e kishte burrin te arratisur. Na shkoi ne mendje t’i propozonim edhe asaj te vinte me ne e te bashkohej me te shoqin. Sic thame, beme. Shkuam ne hotel, por nuk e gjetem, ate dite kishte pushim.

Fati i saj, ndoshta per mire, ndoshta per keq!. Ne oren 11 te nates filluam udhetimin e fundit. Me te veshtirin, pa ngrene, pa fjetur, mendjeqerthulluar, shoqeruar hap pas hapi nga hija e fatit… Mbasi lame uren e Korllos, qe ndan Libohoven nga Nepravishta, duke ecur e duke u cjerrur neper shkurret, u ngjitem perpjete malit te Libohoves. Nga duart e fytyra na rridhnin currileza gjaku. Kisha bere ushtrine ne ato ane dhe e dija se ne maje te malit kishte gropa, keshtu qe u orvatem te ecnim rrezes se majes. Arritem ne zonen e debores. Ecnim duke u zhytur ne shtresat e trasha te saj, ndonjehere edhe duke na ngecur kembet. Aliu kishte mbathur nje pale kepuce te mia, te cilat, nga qe ishin te medha per kemben e tij, mbeten ne debore. Atij i duhej te ecte ne corape. Udhetimi yne i pandalur qe nga ora 11 e nates deri ne oren 7 te mengjesit. Tani ndodheshim matane malit. Dielli i mengjesit filloi te na shkrije akullin qe na kishte ngrire ne qepallat e syve.

Kembet e Aliut ishin bere gjak te kuqe. E merrja me mend se sa dhembje ndjente ate cast, por nuk e jepte veten. “Duro, vella, i thashe, edhe pak…, ja, e sheh ate ndertesen aty? Eshte posta e kufirit. Duro sa ta kalojme edhe ate…” Sa ta kalonim shenjen e fundit te atij “gjesendi” te madh qe linim prapa, i lidhur me penje te ngaterruara pazgjidhshmerisht me qeniet tona, aty ku rrihte zemra e gjyshes, e nenes, e motrave, e gjithe Shqiperise, e cila ate cast me dukej si nje vapor i madh i zhytur ne debore, nga ku une po i largohesha gjithnje e me shume, e me shume, drejt se panjohures, drejt aventures…U shtrime ne debore e u rrokullisem sa te visheshim ne te bardhe e te mbulonim cdo veshje te dukshme, dhe ashtu, si dy statuja te bardha debore, duke ecur kuturu, te lodhur e te drobitur, kaluam piramiden, e morem malit teposhte duke gulcuar e duke ecur pa pushim e me padurim. Kur e kujtoj edhe sot ate rendje ne marri, ndiej ketu brenda ne kraharor nje grusht fluturash te akullta qe ma trazojne e ma lebetitin shpirtin.

Kur rame nga debora ne gur, nuk mund te ecnim dot me. Poshte kembeve tona dallohej nje fshat grek i djegur plotesisht nga lufta civile. “Mbahu dhe pak”, i thashe Aliut, por e pashe se ai s’qendronte dot ne kembe. “Ulu ketu, pa frike, pritme se do te vij te te marr”, i fola dhe mora rrugen tatepjete. Nuk dija greqisht. Pamja e mjerueshme e fshatit ma ligeshtoi me shume gjendjen time. Trokita ne nje porte te madhe, prapa se ciles qendronte nje gjysme shtepie e djegur dhe e shkretuar. Doli nje plake e currufjasur, qe me veshtronte me ca sy te matufepsur. “Arvanos”, i thashe une me gjysme shpirti. Ajo me shpuri te kryeplaku i fshatit. Sapo takova kryeplakun, i bera me shenja per nga mali ku ndodhej kusheriri im. Ai dergoi disa djem qe ta merrnin.

Pastaj çdo gje kaloi shpejt e si ne harrim. Greku ndezi nje zjarr te madh e na vendosi pak larg vatres. Na solli konjak “Metaksa”. Mua me therte krahu i majte, ndersa zemra filloi te punonte me shpejtesi. Mbasi e morem pak veten, na shpune ne Voshtine, komuna greke ku ndodhej qendra e ushtrise. Mjeku ushtarak na zhveshi rrobat e qullura e na mbeshtolli me batanije te leshta. Mezi erdhem ne vete. Aliun e derguan urgjentisht ne spitalin e Janines. Kur ai u largua, mendja me mbeti aty, ne Janine, ku, mbase, atij ia prisnin kembet. U ligeshtova pa mase, por per pak kohe, sepse, pa u ngopur mire me fryme, me shpune me ngut edhe mua ne Janine, para Asfalise se tmerrshme, Sigurimit grek. “Kallzoni, perse keni ardhur ketu?!”- ulerinte oficeri grek sa t’i ngrinte floket perpjete. Por une qendrova i qete, madje me i qete se sa mund ta kisha parashikuar. Une kisha kaluar aq mundime e te papritura ne jeten time, sa… le te behej si te behej…

Por ama… jo te tradhtoja vendin tim. Kur u binden se nuk kishim asnje qellim armiqesor kundrejt Greqise, oficeri e nderroi pllaken. Me mori me te mire e me tha: “Do te punosh me ne!” Kur e pa vendosmerine time, se edhe ne kete ane nuk i merrte luga uje, u xhindos, me shau rende ne greqisht e urdheroi: “Nxirrmani jashte kete te mallkuar!” Me cuan ne polici. Pastaj isha i lire. Aliu vazhdonte te qendronte ne spital. Kembet i shpetuan. Takova disa minoritare greke, qe edhe ata ishin arratisur si ne. Por ata trajtoheshin mire. Kur doli Aliu nga spitali, na cuan te dy ne kampin e refugjateve ne Llavrio, afer Athines. Ne kamp ndodheshin rreth 500 vete. Aty takuam shume shqiptare te tjere. Here pas here u afroheshim kufijve te Shqiperise dhe, duke pare me dylbi matane kufirit, cmalleshim me vendin.

Aty dhe ngjyra e verdhe e dheut na dukej nje mrekulli. Njeriu behet vrer, se mendon: “Ç’bera!...” C’mendonin valle, per mua njerezit e dashur te familjes, farefisi, shoket?…Me shanin apo me jepnin te drejte? Po gjyshja, qante per mua? E shkreta! E dija se nuk do ta takoja kurre me dhe loti me vishte syte.Vone, shume vone kam marre vesh se, nje dite kur nena ime ndodhej ne pazarin e Fierit, i ishte afruar nje oficer i Sigurimit e i kishte folur shpejt e me ze te ulet: “Mos ki merak per djalin, se eshte gjalle.” Shyqyr Zotit nuk i kishin levizur nga shtepia, sepse une ndodhesha ne Tirane e quhesha familje me vete… Por pas dhjete vjetesh i kishin internuar nga Fieri ne fshatin e Golemit, si familje kulakesh. Ne kampin e Llavrios ndenjem dy muaj. Aty funksiononte shkolla e OKB-se per te mesuar anglishten, sepse nje pjese nga ne do te shkonte ne Australi. Amerika nuk merrte nga ne.

Por une deshiroja te shkoja vetem ne Amerike, ne vendin e demokracise, ku askush nuk do te me kercenonte se do te me pushonte nga puna ose do te perdridhte buzet me mllef per shkak te biografise sime “te zeze”. Iu luta autoriteteve te shkolles dhe kembengula se deshira ime ishte te shkoja vetem ne SHBA dhe se do te prisja me durim deri sa te vinte ajo dite. Me dhane mundesine te ndiqja nje kurs mekanikesh per nente muaj ne Athine. Jetoja cdo ore e minute me endrra.. Mora diplome. Atehere me doli edhe viza per ne Amerike. Ishte 1 marsi i vitit 1956. Nje rastesi, nje vit me pare, me 1 mars 1955 kisha shkelur token greke. Viza per ne Amerike, te cilen e ruaj edhe sot per kujtim, ishte nje formular i vogel, katror, i bardhe, stampuar me nje vije diagonale te trashe, te zeze, te lemerishme. Ajo rruge e zeze perfaqesonte kalimin e perdes se hekurt. Ajo vize ishte e vlefshme vetem per nje udhetim, per te kapercyer perden e hekurt e per te mberritur ne boten e lire.

Aeroplani e beri rrugen per 10 ore, me ndalesa: Greqi-Spanje-Portugali-Kanada-Nju Jork. Kur zbritem per pushim ne Kanada, aty e ndjeva veten prane Amerikes e zemra filloi te me luftonte nga gezimi. Nuk do t’i harroj ato minuta te pritjes ne kafeterine e aeroportit. Ne nje tavoline ishim ulur ne, tre shqiptare, nje bullgar e nje serb. Pak me tutje ishin ulur pjesetaret e ekuipazhit te aeroplanit. Na sollen kafe, sheqer dhe krem kafeje, me pjata te vogla e disa luge, te cilat ne s’kishim idene se si t’i perdornim a cfare te perzienim. “Prisni, u thashe shokeve te mi udhetare, - do te veshtrojme se si do te veprojne pilotet amerikane!” Ne ndoqem shembullin e tyre, perziem sheqerin dhe kremin me kafene...”

…Ate cast u afrua gruaja e Musliut me tabakane me kafe, krem e sheqer. Na ndau te gjitheve filxhanet e kafese dhe ne, duke rrufitur lengun e zi me arome, vazhdonim me humorin e te zotit te shtepise rreth kafeterise se Kanadase…

BUKA E HIDHUR E REFUGJATIT

-Si e fillove jeten ne Amerike?- e pyeta Musliun, jo pa kuriozitet. -Isha me fat,-tha ai,- qe gjeta perkrahjen e nje miku, nje bashkatdhetari.

Musliu arriti ne Nju-Jork me 1 mars 1956… Ishte 25 vjec dhe nuk dinte nje fjale anglisht. Diten tjeter ai gjeti pune ne “Shrafft’s restorant”, ne 34 Street, perballe me “Empire State Building.”
Megjithese i gezuar qe tani kishte nje pune, Musliu nuk deshironte te mbetej sherbetor i tavolinave te restorantit. Mosditja gjuhes e vinte ne veshtiresi djaloshin sa here e urdheronin si “bus boy”. Perdite, ne oren 3 pasdite, kur iknin klientet, e zonja e restorantit i jepte Musliut nje shkop me nje gozhde ne maje dhe e urdheronte te mblidhte copat e letrave te rena ne dysheme.

“-Mua,- thote Musliu,- me vinte turp e behesha uje ne djerse te beja pastrimin. Isha mesuar te punoja rende, pune hamalleke, por jo te kryeja ate lloj pune. Por nuk dija anglisht, qe t’ia shpjegoja zonjes ose te kundershtoja.” Ky ishte dhe nje nga shkaqet qe, kur uleshin te hanin dreke ne mence, punonjesit e sherbimit qeshnin dhe e ngacmonin me fjale qe ai nuk i kuptonte dhe qe e benin te vuante mjaft. “Isha i vetem… njeriu me i vetmuar i botes…, pa nje njeri te aferm,-vazhdoi ai,- buka, megjithese nuk me mungonte, nuk me shijonte. Isha pa perkrahje…, puna e “bus boy-t” me torturonte.”

Me ndihmen e nje miku, Musliu e la Nju-Jorkun e u vendos ne shtetin Konektikat (Connecticut), ne qytetin Bridgeport, ku gjeti pune ne profesionin e vet, ne fabriken per montimin e makinave ne “International Harvest”. Ai punoi ne fabrike gjashte vjet, ndersa vazhdonte shkollen e nates per te mesuar anglishten. Ishin gjashte djem beqare, shqiptare e kosovare, qe punonin e banonin se bashku, si vellezer. “Kujtonim familjet tona, larguar prej vjetesh e pa marre asnje lajm, -thote Musliu,- shpresonim, deshironim, enderronim te hapej edhe Shqiperia e Kosova e te beheshin vende demokratike si Amerika e shtetet e tjera te Evropes. Por me kalimin e kohes e shihnim se shpresat tona ishin te kota. Ne Nju-Jork funksiononte komiteti “Shqiperia e lire” me kryetar Hasan Dostin. Na ftonin cdo vit te kremtonim ne Nju-Jork festat e Nentorit. Shkonim tok me djemte devollinj qe punonin ne Konektikat.”

Pese vjet me vone, mbasi mbaroi shkollen e nates dhe e pervetesoi anglishten mire, Musliu erdhi nje dite ne Nju-Jork dhe shkoi ne restorantin Shrafft’s. “U ula ne tavoline si myshteri, si zotni,-thote ai,- dhe dhashe porosine”. Shoket e dikurshem e njohen dhe erdhen ta pershendesnin. Por tani filloi Musliu te qeshte e te tallej me ta. Ndersa kur takoi te zonjen e restorantit, i tha se burrat shqiptare e kane per turp te perdorin shkopin me perone per te mbledhur plehrat. Vetem atehere ai e ndjeu veten te qete, kishte marre nje hak qe e mundonte ngahere.

Ne Konektikat Musliu qendroi gjashte vjet, nga viti 1956 deri me 1961. Fabrika e shkolla u bene pjese e pandare e jetes se perditshme. Nga gjashte shoket shqiptare, dy u martuan me vajza amerikane. Musliu kishte vene menjane ca te holla, me shprese se nje dite do te kthehej ne atdhe. Tani ato para i perdori ne nje udhetim tjeter jashte Amerikes.

NUSJA NGA STAMBOLLI

Kater shoket shqiptare donin te martoheshin me vajza shqiptare... Kerkuan te shkonin ne Kosove, por nuk u doli viza. Keshtu u nisen “per kesmet” ne Turqi, ne Stamboll, ku prej kohesh ekzistonte nje komunitet shqiptar. Me 1962, Musliu vete i katert me shoket e tij, shkuan te gjenin nuse ne Stamboll. Njeri prej tyre, me origjine shqiptaro-turke, i propozoi Musliut te fejohej me kusheriren e tij, Sharminin, nje vajze e ndershme prej nje familjeje te nderuar shqiptare. “-U takova me Sharminin dhe familjen e saj ne hotel “Hilton” me pese yje, - thote Musliu,- por per mua u be hotel me gjashte yje, sepse Sharmini im ishte me shume se nje yll jo vetem nga te pamet, por

edhe nga shpirtmiresia dhe dhembshuria qe tregoi per mua, djalin fillikat nga Shqiperia… Ajo me zevendesoi edhe dashurine e nenes e te motrave qe me mungonin…” Me tej, Musliu, pasi qeshi per disa caste me veten e tij, shtoi: “U fejova alla shqiptarce dhe me gjeti belaja se nuk ia mbaja dot mend emrin te fejuares… Megjithate, tri jave pasi u njoha me Sharminin, u be dasma…”

Sharmini, e cila ndodhej ne kuzhine dhe e kishte degjuar te shoqin, u afrua me nje tabaka me thela lakrori me spinaq. Duke na servirur pjatat, i tha me humor: “Prandaj s’te zuri gjumi ate nate qe u fejuam… se s’me mbaje dot mend mua… apo emrin?”

Pasi u martua e ndenji dy muaj ne Turqi, Musliun s’e zinte vendi sa te kthehej prape ne Amerike, te gjente nje pune per te qene e te fitonte para per te hapur shtepine e re. Nga Stambolli, me 1962 Musliu erdhi drejt e ne Boston, ku ne saje te perkrahjes dhe kujdesit te patriotit shqiptar Anton Athanasit, u pranua ne pune ne restorantin “Pier 4” e me vone ne restorantin tjeter te Athanasit “General Glover’s” ne Swampscot, ku punoi si pergjegjes i barit te restorantit.

Musliu nderpreu biseden, lemoi me dore mustaqet e bardha dhe qeshi nen buze. Atij i kujtoheshin letrat qe i dergonte Sharminit ne Stamboll, te cilat i shkruante mbi banakun e barit te Athanasit. “Ne vend qe t’i shfaqja dashurine e mallin e bashkeshortit,- ben ai humor,- i shkruaja se i kurseja parate sa e si te mundja, se haja perdite vetem buke me gjalpe, qe te mblidhja te hollat qe na duheshin per jeten e re qe na priste… I vura parate cika-cika…I pergatita “kartrat” per ardhjen e Sharminit dhe ia dergova…”

Sharmini me tregon se nuk do ta harroje kurre diten e pare kur i shkeli kemba ne SHBA. E zonja e shtepise ku banonte Musliu, mblodhi ne sallen e pritjes te katit te pare zonjat amerikane e u tha : “Sot kemi party dhe nje surprize…do te na vije nje stambolleshe veshur me citjane te gjera e shami te mendafshte mbeshtjelle e rrotulluar pas kokes…”

-Kur hyra une,-thote Sharmini,- veshur plot elegance, me nje kostum te bardhe shik, qepur sipas modes se fundit te Parisit, amerikankat mbeten me goje hapur…”

VATRA E FAMILJES

E pyeta Sharminin mbi pershtypjet e saj kur erdhi per here te pare ne Amerike.

- Musliu kishte zene nje apartament me qira ne Pibadi (Peabody), Mass., -tha ajo.- Me shkruante ne leter se apartamenti kishte dy dhoma. Apartament i thencin, se, kur erdha nga aeroporti e Musliu hapi deren, hyra drejt e ne kuzhine. Nga kuzhina shkoje drejt e ne te vetmen dhome. Kjo ishte banesa jone e pare. Anglisht nuk dija mire, dija frengjisht, por nuk me hynte ne pune. Me Musliun po ashtu nuk njiheshim mire. Ndjeva vetmi dhe mall per familjen qe lashe ne Turqi. Here-here kujtoja jeten e nenes sime. Ajo erdhi nuse nga Shqiperia ne Stamboll dhe per 46 vjet nuk mundi te kthehej te vizitonte familjen. I vdiqen prinderit e nuk mundi t’i varroste. I njejti fat po me ndiqte edhe mua. Vetmine ma shtonte me teper edhe orari jo i rregullt i punes se Musliut.

Ai nisej nga shtepia ne oren tre e gjysme pasdite. Punen e fillonte ne oren kater te bari i restorantit te Athanasit e kthehej ne mengjes. Une qaja gjithe naten…” E merrja me mend fytyren e embel te Sharminit rrethuar me kacurrelat bjonde, te mbuluar nga lotet. Por, sipas rrefimit te saj, erdhen me radhe femijet, Gjyli, vajza me e madhe, Lale, vajza e dyte dhe Aliu djali i vetem. Ne nje familje prej pese vetesh askush nuk mund te quhej i vetmuar. “Dashuria jone bashkeshortore,-vazhdon Sharmini,- u rrit krahas gezimit te rritjes dhe edukimit te femijeve tane. Musliu vuri nje rregull te forte ne familje: brenda shtepise do te flisnim te gjithe shqip. Kjo menyre jetese i detyroi femijet tane te mesonin e te respektonin gjuhen e traditat e familjes shqiptare.”

Me te hollat e fituara e te ruajtura me kujdes e nikoqirllek, me 1971 cifti Mustafa hapi biznesin e ri, restorantin “Oceanside” ne fshatin Magnolia, Mass. Burre e grua punonin bashke me pese kameriere ne restorantin me 120 vende. Musliu, i cili kishte punuar per nje kohe te gjate neper restorante, kishte fituar nje pervoje te mire per kete lloj biznesi. Keshtu, duke rritur fitimet vit pas viti, restorantin e shiten pese vjet me vone dhe blene “Earnie’s Coffee Shop” ne Government Center, ne Boston, me 1976.

Gjate bisedes Musliu fliste me respekt per kryemjeshtrin e restoranteve, z. Anton Athanas.

-A te binte rasti shpesh te bisedoje me Athanasin?- e pyeta.
-Cdo dite,-u pergjegj Musliu.- Ai tregonte kujdes ateror jo vetem per mua, por edhe per gjithe emigrantet e tjere shqiptare qe kishte punesuar. Athanasit, po t’i thoje “jam shqiptar” te merrte menjehere ne pune. Kur kishte kohe te lire, rrinte me mua e me pyeste per Shqiperine. Athanasi me kishte besuar detyren e manaxherit te pijeve te barit, kur punova aty deri me 1969. Bari kishte 110 vende, vendosur ne nje mjedis luksoz; ne sallonin ngjitur nje pianist luante ne piano per nate…,” - kujton Musliu. Ai kujton gjithashtu disa dekada me pare kur e festonin Diten e Flamurit ne Boston, ne restorantin e Athanasit, ne darken e organizuar nga “Vatra”. Mblidheshin shqiptaret e Bostonit e te zones rreth e qark, gezonin qe takoheshin me shoqi-shoqin. Uronin festen e Flamurit, shijonin ushqimin dhe degjonin muzike shqiptare nga pllakat e gramafonit. “Kremtimi i 28 Nentorit ishte festa me e bukur e vitit, qe mbaj mend,”- tha Musliu.

-Po Fan Nolin a e pate takuar?, - e pyeta.
-Shume here e kam takuar,- theksoi ai,- vinte shpesh ne restorantet e Athanasit, sidomos ne kremtime festash. Me kujtohet,-vazhdoi ai,- takimi i vitit 1962 kur festohej tek Athanasi pervjetori i “Vatres”. Fan Noli ishte i famshem per perdorimin e humorit dhe te bejteve gjate fjalimit te tij. Sidomos kur dikush e nderpriste.. Keshtu, gjate fjalimit te 1962-shit, disa emigrante shqiptare, qe s’u pritej, e pyeten nga padurimi: “Urate, si do t’i veje filli Shqiperise? C’duhet te bejme ne per te?...” Fan Noli u pergjegj aty per aty: “E po s’eshte koha e “bicakcinjve”… e cobaneve qe mbanin bicakun ne brez…, kohe te tjera kane ardhur…, do te hapet edhe Shqiperia…”

“Por Shqiperia u hap 30 vjet me vone,- psheretiu Musliu,- dhe une, kesaj ane te Atlantikut krijoja familje te re, ndersa anes tjeter te oqeanit nuk e dija dhe as qe mund ta merrja me mend se c’behej me familjen time. Te pakten…nje “te fala me shendet” te merrja, qe eshte pershendetja me njerezore ne kete rruzull tokesor, por asnjehere nuk e mora!”

ZERI I SHPRESES

Ne kohen e lire Musliu dhe Sharmini udhetonin ngahere ne Brixhport (Bridgeport), ne Konektikat, per t’u takuar me miqte e vjeter shqiptare e per te marre vesh ndonje lajm te ri nga adheu i larget. Po ashtu Musliu udhetoi disa here per ne Detroit, ku takohej me miqte e tij ne Teqene e Baba Rexhepit. Musliu kujtonte kohen kur Baba Rexhepi, mik i vjeter i familjes Mustafaraj, i vizitonte ne shtepine e Fierit. Baba Rexhepi i kujtonte te gjitha keto kur takohej me Musliun dhe gezohej kur merrte vesh fjale te mira per familjen dhe biznesin e tij. Ne Detroit Musliu takoi disa here edhe z.Ekrem Bardha, me te cilin e lidhnin miqesia dhe rruga e tyre paralele e jetes…

Me renien e murit te Berlinit dhe me afrimin e viteve ’90, mergata shqiptare ne Amerike filloi te levizte e te gjallerohej me shume se kurre. Ne fund te viteve’80 ne Nju-Jork organizoheshin demonstrata kunder regjimit komunist ne Shqiperi. Musliu me shoket e tij te Konektikatit udhetonin per ne Nju-Jork, merrnin pjese ne demonstratat me makina te hapura, ku shpalosej flamuri i Shqiperise me nje vrime bosh…ylli i prere mbi shqiponjen dykrereshe.

Per 36 vjet rresht Musliu u mundua te komunikonte me familjen e tij ne Shqiperi, i dergonte letra familjes pa qene i sigurt se ato i merrnin apo jo. Duke e ditur se sa vuante familja nga skamja e varferia, ne Shqiperi, meqe s’kishte pasur asnje mjet per te perballuar veshtiresite e jetes, cifti Mustafa perdori rrugen e dergimit te pakove: derguan gjashte kuti me makina qepese ne Shqiperi. Aksidentalisht, ne faturen e blerjes nga dyqani, e cila ishte ngjitur mbi kutine e makines qepese, ishte shenuar dhe numri i telefonit te familjes Mustafa ne Manchester. Ne shtator 1990 ne shtepine e Musliut ra zilja e telefonit dhe, per here te pare, pas 36 vjetesh ai degjoi zerin e se motres. “Ajo ishte femije kur une lashe shtepine,- psheretiu Musliu,- ishte 14 vjec.”

Zeri i se motres, si te ishte nje ze engjellor ardhur prej qiellit, ia riperteriti edhe nje here kujtimet e vegjelise Musliut. Ai ze motre simbolizonte zerin e bute te gjyshes, doren perkedhelese te nenes, merakun e vellezerve, dashurine e padurimin e niperve e mbesave per te njohur xhaxhane e humbur…e ky varg emocionesh e coi ate drejt nje vendimi: te nisej sa me pare ne vendlindje. E mblodhi mendjen dhe ne nentor 1990 vendosi te nisej bashke me Sharminin, megjithese miqte dhe autoritetet e keshilluan te mos nxitohej se mund ta pesonte. Mbasi siguruan nje vize speciale si “investitor”, ata te dy i hipen aeroplanit. Musliu e Sharmini mberriten ne Tirane diten e Thanksgivingut. Cifti Mustafa u prit ne aeroportin e Rinasit nga kusheriri, Zagolli, i cili kishte qene ne burg per 12 vjet, qysh ne moshen 21 vjec, i denuar per shkak te biografise balliste.

Kur u takua me familjen, ne vend qe te gezohej, Musliu u brengos me shume kur i pa se si ishin katandisur vellezerit e motrat dhe gjithe farefisi, te cilet nuk kishin nje pallto ne trup te mbroheshin nga te ftohtit e dimrit. Ketij deshperimi i shtohej dhe dhembja e madhe qe ndjeu refugjati i pafat kur nuk e gjeti nenen gjalle. Ajo kishte vdekur nje vit me pare, me fytyren kthyer gjithnje nga dera, duke pritur ndonje lajm per te birin e syrgjynosur... “I shkuam te varri,-tha Musliu,- e vajtova…, ia preka gurin e varrit…, degjova renkimin e nenes…, vuajtjet e saj vitpasviti…Jane kujtime te hidhura…”, - perfundoi ai.

Kur cifti Mustafa u kthye ne SHBA, gjene e pare qe bene, mblodhen nje ton me rroba e veshje per mosha e masa te ndryshme trupi dhe i nisen ne adresen e familjes ne Shqiperi.

REFUGJATI I DIKURSHEM
BASHKOHET ME FAMILJEN

Per Musli Mustafen dhe familjen e tij viti 1992 ka qene nje vit i lodhshem, plot emocione, brenga e gezime, nje vit qe plotesoi endrren 36-vjecare te refugjatit te dikurshem per t’u bashkuar me anetaret e tjere te familjes. As me shume e as me pak, por 82 pjesetare te fisit te zgjeruar Mustafaraj udhetuan per ne Amerike: tre vellezerit e Musliut dhe dy motrat me familjet e veta, si dhe gjithe kusherinjte e pare nga nena e nga babai. Ne kete grumbull farefisnie kishte pleq e plaka, burra, gra, niper e mbesa, deri nuse te reja shtatzena… Si ndodhi?

Me interesimin e tij, Musliu ra ne kontakt me agjencine “The International Rescue Commite”, nje organizate nderkombetare e refugjateve, e cila ndihmonte ne bashkimin e familjeve te shperndara neper bote. Kjo agjenci i dha mundesine fisit prej 82 personash te udhetonin per ne Amerike me 1992. Organizata pagoi biletat e pasagjereve, me kusht qe, ne te ardhmen, ata te gjithe te shlyenin vleren e tyre, pak nga pak.

Sharmini dhe Musliu, diten qe festonin 30-vjetorin e marteses se tyre, hapen portat e shtepise e te zemres per te marre ne patronazh e ne mbrojtje nje detashment te tere farefisnor. Ata mberriten te gjithe ne nje periudhe kohe midis muajve mars dhe maj 1992. Mes tyre, 42 pjesetare me te larget u shperndane ne Baltimore e Nju-Jork, ndersa 40 me te afermit, perfshi familjet e vellezerve e motrave zune vend fillimisht ne Manchester-by-the-sea, Mass.

Sharmini dhe Musliu ne mars 1992 bene pergatitjet e nevojshme per te pritur 13 mysafiret e pare. Disa jave para ardhjes se tyre cifti Mustafa solli ne shtepine e tij prej pese dhomash, dysheke, jasteke e kuverta. Ne dyshemene e dhomes se pritjes u vendosen pese dysheke per mbesat e vogla…, te tjeret fjeten neper dhomat…

Gjyli Mustafa - Kozlu, vajza e pare e Musliut, ndihmonte edhe ajo bashke me motren e vellane, me sa mundnin. Gjyli tregon se cfare surprize dhe gezimi ishte te takoheshe me gjithe ata kusherinj e kusherira. Ajo nuk e kishte pare te atin asnjehere kaq te shkathet e te gezuar… Ajo tani i jepte te drejte kembenguljes se babait dikur, per te mesuar shqipen, e cila tani i hynte ne pune me shume se kurre. Ajo e quan privilegj te dije te komunikoje ne gjuhen e prinderve. “Babai im u rrit larg familjes,-thote ajo,- pa kujdesin e dashurine prinderore. Ne, femijet e tij, e ndienim kete gjate kohes kur ne rriteshim, -shton ajo.- Shikonim fytyren e ngurosur te babait, ku pikasej gjithmone nje merak e vuajtje, sidomos diten e 1 marsit te cdo viti, ne pervjetorin e paharruar kur ai la prapa vendlindjen e mori arratine”. Atij i mungonin shume pjesetaret e familjes dhe farefisi. Por na mungonin edhe neve. Kete e ndjeva diten kur u kremtua ne shkolle festa e marrjes se diplomes sime. Pervec nenes e babait, nuk kisha njerez te tjere te farefisit, sic kishin shoqet e mia.”

DYERT E MIKPRITJES

Me 40 mysafire te ardhur ne vendbanimin e tij Musliut tani i duhej nje “full-time job”, ndersa i biri, Aliu, e zevendesoi te atin ne restorantin e tij “Ernie’s Coffe Shop” ne Boston. Musliu e zuri gjithe kohen e tij me gjetjen e apartamenteve te banimit, me pajisjen e mobilimin e tyre, duke frekuentuar edhe “garage sales”, me gjetjen e vendeve te punes per burrat e grate, me regjistrimin e femijeve ne shkolla, me shoqerimin te doktori e te dentisti…

-Ata sot jane te gjithe te punesuar,-tregon i kenaqur Musliu,- sepse te afermit e mi ishin mesuar me cdo lloj pune fizike, duart e tyre ishin trashur nga kallot…, keshtu u punesuan shpejt neper vende pune qe ndonje tjeter do te pervishte buzet. Grate pranuan te punonin si pastruese shtepish dhe si “bebisiter” (baby sitter) ne familjet e pasura e kudo ne qytetet e vogla rreth e rrotull.” Musliu eshte krenar me njerezit e farefisit te tij, te cilet, kudo qe punojne jane te lavderuar nga boset e manaxheret. Prinderit punojne ne dy-tri pune, duke sakrifikuar per te studiuar femijet neper shkolla e kolegje. Qysh ne muajt e pare te regjistrimit te femijeve ne shkolla, ata u dalluan per perparim ne mesime e sjellje shembullore, gje qe terhoqi vemendjen e shtypit lokal. U botuan artikuj me intervista te mesuesve dhe drejtoreve te shkollave me fjalet me te mira per nxenesit e familjeve Mustafa. Por njekohesisht u botuan edhe shkrime qe vinin ne dukje punen e lavderueshme te Musliut e te Sharminit per t’i pritur me zemer te mire e per t’i orientuar ne jete njerezit e sojit e te gjakut te tyre.

-Ata sot jane te te gjithe te punesuar e kane blere shtepi,- krenohet Musliu,- kane mesuar gjuhen…, femijet u rriten e kane mbaruar kolegjet…por prapeseprape, tek-tuk del ndonje problem a shqetesim, per te cilen kujdesem une.

Musliu dhe Sharmini nuk do ta harrojne kurre diten e 12 marsit 1992, kur mberriten ne shtepine e tyre 13 pjesetaret e pare te familjes dhe banuan per disa kohe ne shtepine e bardhe Mustafa, ne Pine street. “Ate nate, thote Musliu,- askush nuk mbylli sy. E kemi gdhire deri ne oren 4 te mengjesit duke bisedusr e duke u cmallur. Akoma deri sot, -shton ai,- vazhdojme te kujtojme vitpasviti cdo ngjarje a ndodhi, qe ka lene mbresa, plage e trishtim ne jetet tona te sakatosura. Nga perndjekjet e vazhdueshme politike te familjes Mustafaraj, duke i syrgjynosur nga qyteti ne fshatrat e largeta, familja e gjere e Musliut prej 12 anetaresh ishte e detyruar te banonte ne nje kasolle me kashte, ku c’binte jashte rridhte brenda. Atyre ua moren tokat e cfare pasuri kishin.

“Ky ribashkim i familjes ishte endrra ime e tashti u be realitet… Kjo eshte e pabesueshme…, eshte njelloj si te lindesh perseri…Eshte nje bashkim me vonese…, por, sidoqofte, eshte i vertete…”- thote Musliu ne nje interviste dhene nje gazete te Manchesterit.

DREJT RRUGEVE TE REJA

Musliu erdhi ne Amerike ne vitin 1956 pa asnje pare ne xhep, pervec kraheve te fuqishme te punetorit. Tok me bashkeshorten punuan ne biznesin e suksesshem te restorantit, rriten tre femije, te cilet studiuan ne kolegje: Gjyli, vajza e madhe, eshte psikologe, Lale, vajza e dyte, eshte pedagoge dhe Aliu eshte doktor, martuar me nje doktoreshe nga Tirana. Sharmini e Musliu sot jane gjysher te lumtur e gezojne me dy mbesa e nje nip te vogel, te cilet ua mbushin shtepine me drite.

Kur Musliu e solli familjen e madhe nga Shqiperia, deshironte qe edhe djemte e vajzat e reja qe sapo erdhen plot energji e deshira, te rriteshin te edukuar e te shkolluar si femijet e tij, duke “rrembyer” nga nje cope te endrres amerikane. Dhe kjo ndodhi me te vertete. Mjafton te degjosh vetem deshmine e njerit prej vellezerve te Musliut, Astrit Mustafa. Astriti eshte vellai me i vogel i Musliut dhe tregon se ne vitin 1962 familja e tyre: tre vellezerit, dy motrat dhe nena u internuan nga Fieri ne Golem te Gjirokastres. Ata te gjithe punonin ne kooperativen bujqesore, ne tokat qe dikur kishin qene prone e tyre. Punonin e banonin si kafshe, ne nje kasolle thurur me kashte e shufra, pa uje e pa drite elektrike.

Nje merak i madh i ka mbetur Astritit: kur perfundoi gjimnazin, megjithese me nota shume te mira, nuk i dhane te drejten e studimit, per shkak te biografise “se zeze.” Kete merak do ta ruaj gjate gjithe jetes sime si trishtimin me te madh,”-thote ai. Por historia e shkollave vazhdon. Astriti dhe Myhyrja, gruaja e tij, u bene me kater femije, tre djem e nje vajze, te cilet kane qene te paret ne shkollen 8-vjecare. Djali i pare, Neritan Mustafaraj, mbaroi shkelqyeshem tetevjecaren, por nje vit me vone, mezi i dhane te drejten te vazhdoje shkollen bujqesore te Libohoves. Ne vitin e dyte te shkolles Neritani mori pjese ne konkursin kombetar te kimise ne Durres, me 1989, dhe fitoi vendin e dyte. Kur Musliu e terhoqi familjen ne Amerike, ishte fat edhe per femijet, te cilet do te shkolloheshin sipas aftesive dhe deshirave te tyre.

Tani, Astriti, mosrealizimin e endrres se tij e sheh te plotesuar tek femijet, te cilet sot nuk jane me femije, por persona te specializuar e te profesionalizuar ne fusha te ndryshme. Neritani, ne pune diten e ne shkolle naten, ne North Shore Comm. College, mbaroi me sukses studimet e gjuhes angleze dhe kurset e kimise, per te vazhduar me vone universitetin, ku u diplomua si inxhinier kimist. Ka 6 vjet qe punon ne nje kompani ne Milford,Mass. dhe sot kryen detyren e kryeinxhinierit. Tani ai po vazhdon studimet, po mbaron magjistraturen (“Master’s Degree”) per biznes. Mentori, djali i dyte, mbaroi gjimnazin ne Manchester, e me vone perfundoi universitetin, ku u diplomua per antropologji. Ai mori magjistraturen ne universitetin e Arizones dhe tani ne kolegjin e Salemit po merr master per pedagogji. Ai vazhdon studimet per doktorate ne antropologji. Sorkadhi, djali i trete, mbaroi gjimnazin ne Salem, Mass.Vec studimeve, eshte marre edhe me sportin e mundjes. Ai ka fituar vendin e pare ne konkurimin e shkollave te mesme te Massachusettsit.

Ndersa ne konkurimin e Hartfordit, ne Konektikat, fitoi vendin e trete mes shkollave te mesme te Nju-Inglandit. Per keto arritje eshte shkruar per Sorkadhin disa here ne gazetat e Salemit e te Nju-Inglandit. Sorkadhi filloi Universitetin e Bostonit, por ne vitin 1999 e la shkollen dhe, me vullnetin e tij, u angazhua ne levizjen per te ndihmuar Kosoven. Ai sherbeu ne Kosove per tre vjet si perkthyes ne ushtrine amerikane. Pasi u kthye nga Kosova Sorkadhi mbaroi universitetin per “accounting” e sot punon ne te njejtin profesion. Ai eshte nje aktivist i dalluar ne diasporen shqiptare te Massachusettsit. Denisa, motra e vetme ne tre vellezer, mbaroi universitetin e Bostonit per biologji dhe sot punon ne kompanine Xhensai ne Boston. E pyeta Astritin, si ia arriten t’i studiojne te kater femijet ne universitete. “Ata fituan bursa (“scholarships”), -tha ai,- sepse ishin te shkelqyer ne mesime…, perndryshe, ne, si familje, kurre nuk mund t’i ndihmonim…”

Astriti dhe bashkeshortja arriten te shkolloheshin edhe ata, duke perfunduar dy vite te kolegjit North Shore, per te studiuar gjuhen angleze.

Si ne familjen e Astritit, ashtu edhe ne familjet e motrave dhe vellezerve te tjere, si dhe ne farefisin e Musliut anekend Amerikes, ata femije qe erdhen dikur me kuriozitetin e habine e te riut, sot kane mbaruar universitete e jane punesuar kudo neper Massachusetts e anembane ne kontinentin e ri. Dhe Musliut i kendon zemra e krenohet me aftesite, edukaten dhe energjine e njerezve te fisit te tij. Kohe pas kohe ai merr lajme te gezuara per arritjet e pjesetareve te fisit, per sukseset e tyre dhe integrimin ne komunitetet amerikane. Jeta e tij eshte perdite ne feste, sepse ka hapur aq shume vatra te ngrohta familjare, sa e ndien veten si ne shtepine e tij kudo ku troket ne porte. Festat e familjes, te tradites shqiptare, dhe ato te stinave allaamerikance, kremtohen me radhe neper shtepite e vellezerve dhe te motrave.

Lajmi i fundit qe mori Musliu ne vitin 2005, ishte se nje nga niperit e tij, i cili u specializua ne universitetet amerikane, u kthye ne Tirane, ku eshte emeruar zevendes-minister ne nje nga ministrite e qeverise Berisha. Ashtu sic po ecin perpara edhe shume pjesetare te fisit, te cilet mbeten ne vendlindje. Musliut i kendon zemra edhe per ta. Me shume se kurre tani ai e ka te hapur rrugen per t’i ardhur pershendetja: “Falemeshendet nga Shqiperia!”

Shkoder.net... - Fjala e Lirë | Të drejtat e rezervuara